Happy në Plug and Play Tirana Expo 2026: Nga platformë besnikërie drejt një ekosistemi financiar digjital

Happy në Plug and Play Tirana Expo 2026: Nga platformë besnikërie drejt një ekosistemi financiar digjital

Nga programet e besnikërisë te pagesat digjitale dhe shërbimet financiare, Happy po përgatitet për një fazë të re zhvillimi. Ky ishte vizioni që Daniela Malaj, Drejtuese Ekzekutive e Happy, prezantoi gjatë Plug and Play Tirana Expo 2026, një aktivitet që bëri bashkë startup-e, investitorë dhe profesionistë të teknologjisë për të diskutuar mbi inovacionin dhe të ardhmen e biznesit.

Gjatë prezantimit të saj, Daniela Malaj ndau rrugëtimin e Happy dhe ambicien e kompanisë për të evoluar përtej një platforme besnikërie, drejt një institucioni të licencuar të parasë elektronike, duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe mundësive që u ofron konsumatorëve dhe bizneseve.

Në qendër të këtij transformimi është zhvillimi i një ekosistemi financiar të integruar, që synon të bashkojë në një platformë të vetme portofolin digjital, shërbimin “Bli tani, paguaj më vonë” (Buy Now, Pay Later), zgjidhjet e pagesave për bizneset dhe shërbimet e parasë elektronike. Qëllimi është që transaksionet e përditshme të bëhen më të thjeshta dhe fleksibël për konsumatorët, ndërsa bizneset të kenë mundësi t’i menaxhojnë pagesat në mënyrë më efikase dhe të ndërtojnë marrëdhënie më të forta me klientët e tyre.

“Ky është një hap i rëndësishëm për Happy. Duke u mbështetur në përvojën tonë si platformë besnikërie, synojmë të zhvillojmë shërbime financiare digjitale që u ofrojnë konsumatorëve më shumë lehtësi dhe fleksibilitet, ndërsa bizneseve u mundësojnë të menaxhojnë më thjesht pagesat dhe të forcojnë marrëdhëniet me klientët”, u shpreh Daniela Malaj.

Pjesëmarrja e Happy në Plug and Play Tirana Expo 2026 ishte gjithashtu një mundësi për të ndarë këtë vizion me komunitetin e inovacionit dhe sipërmarrjes, për të shkëmbyer ide dhe për të eksploruar mundësitë e reja që po krijohen në sektorin e teknologjisë financiare.